Dita e fundit për maturantët Ceremoni përmbyllëse festive në gjimnazin “Pjetër Budi”, Burrel

Dita e fundit për maturantët Ceremoni përmbyllëse festive në gjimnazin “Pjetër Budi”, Burrel

Në mjediset e gjimnazit “Pjetër Budi”, Burrel, u zhvillua të premten veprimtaria festive e mbylljes së vitit arsimor për maturantët e klasave të dymbëdhjeta, me temën “Drejt së ardhmes me ëndrra dhe kujtime”. Aktiviteti mblodhi së bashku nxënës, mësues, prindër dhe drejtues të shkollës në një atmosferë festive dhe emocionuese, në prag të provimeve të Maturës Shtetërore. Drejtori i shkollës, Qemal Sulaj, vlerësoi përkushtimin dhe punën e maturantëve ndër vite, duke theksuar se shkolla mbetet krenare për arritjet dhe rrugëtimin e tyre. Në emër të prindërve përshëndeti kryetari i Këshillit të Prindërve të shkollës, Arben Tusha, i cili falënderoi stafin pedagogjik për punën dhe mbështetjen ndaj nxënësve gjatë viteve të shkollimit. Ndërsa kryetarja e Qeverisë së Nxënësve, Uendi Pasha, e cilësoi maturën si fundin e një etape të rëndësishme në jetën e të rinjve dhe nisjen e një rrugëtimi të ri për të gjithë ata. Programi artistik u shoqërua me kujtimin e momenteve nga jeta shkollore, këngë, valle, dhe interpretime homoristike, ndërsa nuk munguan mesazhet motivuese për suksese në provimet e Maturës Shtetërore. Veprimtaria u mbyll me fotografi të përbashkëta, muzikë festive dhe urime për maturantët.