15 Marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, që për qëllim ka mbrojtjen e konsumatorëve. Mbrojtja, ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive e njësive tregtare. Ndonëse mungon një informim me bazë të gjerë tek konsumatorët për të drejtat e tyre ligjore, primare mbetet siguria. Qytetarët thonë se nuk ndjehen aspak të sigurtë për produktet që blejnë, pasi në shumë raste kanë vënë re se ato ishin në vitrina megjithëse kishin skaduar. Po ashtu, qytetarët shprehen se abuzohet edhe me datat e skadencës pasi fshihen e vendosen të tjera. Tjetër pasiguri, ata deklarojnë edhe produket stinore si perimet apo zarzavatet që duhet të dalin në treg në muajt e fundit të pranverës apo gjatë verës, por që tregtohen edhe në dimër.
Më 15 mars 1962, presidenti amerikan John F. Kenedi miratoi “Ligjin për të drejtat e konsumatorëve”. Ndërsa, me Rezolutën 39/248, me 9 prill 1985, Kombet e Bashkuara kanë miratuar Udhëzimin për kujdesin apo mbrojtjen e konsumatorit. Edhe në vendin tonë është një ligj që mbron të drejtën e konsumatorit, por ai njihet pak ose aspak nga masa e gjerë e shoqërisë.