Dështimi për të zhvilluar ndeshjen të dielën ndaj Shkumbinit të Peqinit i ka kushtuar rëndë ekipit të Klosit që aderon në kategorinë e dytë të kampionatit kombëtarë të futbollit. Klosjanët nuk arritën të gjejnë stadium për të zhvilluar ndeshjen, duke bërë që ajo të mos luhej. Por kjo ishte në shkelje të rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit e cila parashikon që ekipi pritës i takimit, duhet të sigurojë zhvillimin e ndeshjes si fusha ku do të luhet dhe siguria gjatë zhvillimit të saj. Por klosjanët nuk mundën të gjejnë fushë pasi KF Burreli refuzoi të vërë në dispozicion stadiumin “Liri Ballabani” për shkak se nuk përballonte zhvillimin e shumë ndeshjeve, që me nisjen e kampionatit të të rinjëve. Të Martën Komisioni i Disiplinës pranë FSHF është mbledhur për të shqyrtuar problematikat e dalë gjatë fundjavës. Në vendimin e këtij komisioni KF Klosi ka humbur në tavolinë ndeshjen ndaj KF Shkumbini me rezultatin 3 me 0 si dhe i janë zbritur tri pikë nga klasfikimi i grupit A në kategorinë e dytë. Aktualisht pozicioni në renditje është në vendin e fundit me minus 3 pikë, në katër javë kampionat. I kontaktuar nga Mat Televizion Drejtori Teknik i KF Klosi Enver Topalli tha se vendimi i komisionit të disiplinës është i padrejtë, pasi Klubi ka paraqitur të gjithë argumentët siç e parashikon rregullorja. Po ashtu Topalli u shpreh se vendimi nuk do të ndikojë në qëllimin e klubit për të ecur përpara.
“Unë kam kontaktuar me Shefin e Kategorisë së Dytë, Endri Hykon ku i përcolla reagimin tim ndaj vendimit të Komisionit të Disiplinës. Në të vërtetë nuk e di se si është bërë ai dënim pasi ne paraqitëm të gjitha arsyet bindëse përse ishte e pamundur zhvillimi i asaj ndeshjeje. Dy ditë para takimit na u tha që nuk do të luhej në Burrel e në një kohë kaq të shkurtër e kishim të pamundur të gjenim një fushë tjetër. Humbja e ndeshjes sihte diçka e pritshme, por jo dhe heqja e tri pikëve. Mendoj që kjo është një padrejtësi që nab ëhet pasi ishte hera e parë që ne nuk siguruam fushë. Gjithsesi ne do të vazhdojmë kampionatin ku në javët në vazhdim do të luajmë në transfertë dhe javën e fundit brenda këtij viti kalendarik e kemi pushim. Në Janar do të kemi marrëveshje me një nga stadiumet që jemi në bisedime dhe jam i bindur që kjo nuk do të përsëritet më” – tha në reagimin e tij Topalli.
Deri në fund të këtij viti klosjanët i kanë ndeshjet në transfertë, ndaj nuk ju duhet stadium, ndërsa deri në fillim të vitit të ardhshëm pritet të nënshkruajnë marrëveshje me një nga klubet e kësaj kategorie apo edhe të kategorisë së parë.