Vora është kundërshtari i radhës për Dinamon, ku blutë do të kërkojnë fitoren. Olsi Uku, trajneri i ri i dinamovitëve, për “Panorama Sport” flet në lidhje me situatën në ekip dhe vlerëson kundërshtarin.
“Ekipin e shoh në gjendje të mirë, edhe pse kalendari ka qenë i ngjeshur. Më e rëndësishmja është se lojtarët janë të motivuar, gati për fitoren e radhës. Vorën e kemi vlerësuar maksimalisht, si çdo kundërshtar, por ne jemi Dinamo dhe jemi ndërtuar për të fituar. Besoj shumë se do të marrim fitoren e radhës”, tha fillimisht trajneri i bluve. Dinamo është e kompletuar sa i përket organikës dhe trajnerit Uku i duhet të përzgjedhë formacionin, ashtu sikurse bëri ndaj Veleçikut, ku Da Silva shënoi një supergol.
“Skuadra do të jetë e plotë për këtë takim, ndonëse kemi 2-3 probleme të vogla, por të rikuperueshme dhe me plot lojtarë cilësorë. Këta mund të luajnë në çdo moment pa dëmtuar harmoninë dhe cilësinë e ekipit, nëse do të na nevojiten”, vijoi 31-vjeçari. Pyetjes se cili është rivali më i fortë i Dinamos, trajneri Uku iu përgjigj: “Skuadra ka një nivel të mirë. Sikurse e thashë dhe më lart, ne e vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin dhe jo vetëm atë të radhës, por Dinamo rivalin më të fortë ka veten”.