Bashkia Dibër vijon me trend rritës të rasteve të reja të infektimeve me koronavirus. Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raportoi për 12 raste të reja në këtë bashki. Në Mat u zbuluan në harkun e 24 orëve 2 të infektuar, ndërsa në Bulqizë e Klos asnjë rast i ri.

Në të gjithë Qarkun e Dibrës aktualisht janë mbi 230 raste aktive me Covid-19. Sipas specialistëve rritja e rasteve ka ardhur si pasojë e hyrjes së variantit të ri Omicron i cili është edhe më i infektueshëm se variant Delta.

Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve. Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqendruar.

Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët mbi 12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë të vaksinës, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqendruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese.