Fshati Dovolan në Bashkiinë Dibër është një ndër fshatrat me banesat më të grumbulluara. Por banorët aty po përballen me fenomenin e ndotjes nga ujërat e zeza. Në mungesë të një rrjeti të ujërave të ndotura, banorët i nxjerrin ato jashtë dhe qarkullojnë lirshëm. Por kjo ka shkaktuar ndotje të ambjentit dhe aromë të keqe gjatë gjithë kohës. Disa nga banorët e kanë zgjidhur problemin pasi kanë hapur gropa septike, por shumë të tjerë nuk kanë mundësi t’i ndërtojnë për shkak se ndodhen mes banesave të tjera. Banorët shprehen se dikur në fshatin e tyre shkuan tubat për tu vendosur për rrjetin e ujërave të zeza, por ato kurrë nuk u vendosën dhe u zhdukën pa lënë gjurmë.

Në këtë fshat nuk mungon infrastuktura rrugore pasi deri në qendër të fshatit rruga është e asfaltuar. Por banorët kërkojnë të ndërtohet rrjeti i ujërave të zeza si dhe të vendosen kontejner mbeturinash në fshat, në mënyrë që ndotja të marrë fund njëherë e përgjithmonë.