Dibër/ Shpërndante drogë në Bulqizë, arrestohet 29-vjeçari pjesë e grupit të operacionit “Porosia”
Një 29-vjeçar nga Bulqiza ka rënë sot në prangat e policisë, pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla në qytetin e Bulqizës dhe zonat përreth.
I arrestuari është shtetasi me iniciale SH. P., 29 vjeç, banues në Bulqizë. Policia informon se pas hetimeve rezultoi që ai të ishte bashkëpunëtor i 6 shtetasve të tjerë të arrestuar më datë 30 gusht 2020, në kuadër të operacionit policor të koduar “Porosia”.
Më herët nga ky operacion qenë arrestuar shtetasit: Renato Allushi, 22-vjeç, Denis Perkoxha, 22-vjeç, Ramiz Perkoxha, 24-vjeç, Ferdinad Maha, 32-vjeç, Avni Doda, 25-vjeç dhe i mituri me iniciale E. Xh., 15 vjeç, të gjithë banues në Bulqizë. Ndërkohë identiteti i të arrestuarit të sotëm nuk bëhet i ditur ende.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia, personave të sipërpërmendur iu qenë gjetur doza me lëndë narkotike kanabis, gati për shitje, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë hetimet për operacionin “Porosia” vijojnë.
Njoftimi i plotë i policisë:
DVP Dibër
Vijon operacioni policor i koduar “Porosia”.
Shkon në 7 numri i personave të arrestuar në kuadër të operacionit për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni policor, pas disa muajsh hetime nga DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër dhe finalizuar 3 javë më parë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Kapet dhe ndalohet një tjetër shtetas i përfshirë në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla.
Në vijim të hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Dibër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, gjatë hetimeve në kuadër të operacionit “Porosia” ka rezultuar se shtetasi SH. P., 29 vjeç, banues në Bulqizë, është bashkëpunëtor i 6 shtetasve të tjerë të arrestuar më datë 30 gusht 2020, për veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, në qytetin e Bulqizës dhe zonën përreth.
Si rezultat, gjatë mbrëmjes së djeshme, pas një pune të mirorganizuar nga strukturat e DVP Dibër u bë u mundur kapja dhe ndalimi i tij.
Operacioni vijon.