As rruga e Njësisë Administrative Luzni në Bashkinë e Dibrës nuk i ka shpëtuar dëmtimit për shkak të shirave. Ndonëse kjo rrugë është e asfaltuar, ujërat e mëdha të rëna në të kanë bërë që ajo të pësojë çarje të konsiderueshme, duke e bërë të rrezikshëm kalimin në të. Rruga në fjalë ka pësuar çedim në një gjatësi të konsiderueshme, duke e ngushtuar karrexhatën në maksimum.
Jashtë kameras drejtuesit e mjeteve dhe banorët thonë se shkak për shembjen e rrugës këtu është bërë mungesa e kanalit anësor. Të gjitha ujërat e shiut që mblidhen në shpatin e malit përfundojnë në rrugë.
Ndërkohë, Bashkia Dibër ka gjetur një zgjidhje të përshtatshme për këtë problem. Ndonëse ajo duhej të kishte vendosur sinjalistikën e nevojshme dhe të kishte bllokuar pjesën e çeduar për të mos kaluar mjete në të, ka zgjedhur që çarjen e asfaltit ta mbulojë me zhavor.
Për drejtuesit e mjeteve kjo ndërhyrje nuk ka asnjë siguri, pasi me rikthimin e reshjeve të shiut, i gjithë uji do të hyjë në pjesën e çarë të asfaltit, gjë që rrezikon shembjen totale të karrexhatës.