Kjo që shihni në pamje është rruga hyrëse për tek spitali Rajonal i Dibrës. Edhe pse nuk ka ndonjë distancë të madhe, gjendja e saj është si mos më keq. Banorët që jetojnë aty përreth thonë se në këtë gjendje, kjo rrugë ndodhet të paktën prej dy vitesh, e askush nuk ka marrë mundimin për ta rehabilituar. Të gjithë ata që shkojnë për të marrë vizita në këtë spital, përballen me gropat në hyrje të tij.

Drejtuesit e mjeteve por edhe qytetarët shprehen se gjendja e rrugës i bën njerëzit për spital edhe atëherë kur nuk janë të sëmurë. Duke qenë se ky është një spital Rajonal, pacientët që paraqiten aty janë nga i gjithë Qarku i Dibrës, Mat, Klos, Bulqizë e Dibër. Ambulancat që dërgojnë të sëmurët në spital duhet të zgjedhin detyrimisht rrugën për të mos rënë në gropat, e këtë duhet ta bëjnë pavarësisht se me sa urgjencë duhet të ikin.

Jo vetëm gjendja e asflatit që është e degraduar, por kësaj rruge i mungojnë edhe trotuaret si dhe ndriçimi për lëvizjen gjatë natës.