Moti i paqëndrueshëm me shi gjatë muajit që lam pas ndonëse në disa zona ka shkaktuar dëme duke kalbur frutat e stinës, në Dibër ka ndodhur ndryshe. Qershia jo vetëm që nuk është kalbur, por nuk është pjekur. Fermerët kultivues të qershisë në Dibër, thonë se vonesa në pjekje ka pasoja pasi tashmë ka rënë çmimi. Ilir Kryemadhi, fermer i qershisë nga fshati Grevë në Njësinë Administrative Melan, thotë se megjithëse ka prodhim, pjekja me vonesë do të ndikojë në fitim. Kryemadhi ka një apel ndaj instancave shtetërore, që të ndalojnë importin derisa të mbarojë shitja e prodhimit vendas.

Një tjetër kultivues i qershisë është edhe fermeri Malok Stërmilla nga fshati Pjeçë në Njësinë Administrative Melan. Edhe për këtë fermer, vonesa në pjekje e qershisë ka ndikuar në ekonomi, pasi tashmë duhet ta shesin prodhimin me çmim më të ulët se vitet e kaluara. Gjithsesi, ankesa e përbashkët e fermerëve të dibrës është ndaj Ministrisë së Bujqësisë e cila sipas tyre, nuk i ka mbështetur aspak.

Fermerët e dibrës kanë frikë se tashmë që qershi ka nisur pjekjen, do të dëmtohen më shumë nëse reshjet e shirave do të vazhdojnë.