Dibër, qershia mbetet në pemë, shkak mungesa e fuqisë punëtore dhe tregut me shumicë
Edhe këtë vit që prodhimi i frutit të qershisë ka qenë i mbarë në zonën e Dibrës, ai ka mbetur pa shitur. Fermerët theksojnë se dy janë arsyet që u përballën këtë vit, mungesa e fuqisë punëtore dhe tregut të shitjes me shumicë. Neritan Ferruku ka mbi 3 HA pemë qershie, me të cilën ka burimin e vetëm të të ardhurave familjare. Por ai thotë se e ka patur shumë të vështirë të sigurojë punëtorë për ta vjelë frutin e qershisë nga pema. Varietetet e hershme, të cilat kanë patur prodhim të madh, nuk i ka përballuar dot, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të mbetet në pemë. Të njëjtën gjë thotë edhe fermeri tjetër, Agron Ferruku i cili e cilëson fenomenin e mungesës së fuqisë punëtore si shkatërrimtare për bujqësinë. Sakaq, fermeri Neritan Ferruku thotë se është i detyruar ta vjelë qershinë e cila tashmë është krimbur. Shkak për këtë sipas tij, është të mos dëmtojë pemën, pasi duke qëndruar në të, bëhet burim për infeksione. Shumë fermerë të kultivimit të qershisë në Dibër kanë humbur prodhimet e tyre nga mungesa e fuqisë punëtore.