Ismet Spahiu nga fshati Trenë, Njësia Administrative Melan, Bashkia Dibër, denoncon rënien drastike të numrit të koshereve të bletëve në zonën e tij, të cilën ia atribuon vrasjes së bletës nga pesticidet që hidhen në vreshtari të mollëve, qershive dhe kulturave të tjera frutore. Për shkak të kësaj problematike Spahiu thotë se ka pasur 250 koshere bletë vitin e kaluar, ndërsa këtë vit numri i tyre ka zbritur në 150.

Për të luftuar këtë problem dhe për të mbrojtur popullatën e bletëve nga vdekshmëria, Spahiu i bën thirrje Drejtorisë së Bujqësisë që të marrë masa të rrepta në spërkatjen e kulturave të tilla si qershi, kumbull, mollë, dhe të sigurohet që pesticidet të hidhen sipas kritereve të përcaktuara.

Bletari Ismet Spahiu shpreh shqetësimin e tij edhe për vonesën e prodhimit të mjaltit në këtë vit, për shkak të lagështisë që ka mbajtur stina e pranverës dhe e verës. Sipas tij jo vetëm që prodhimi i mjaltit është i vonuar, por edhe sasia e prodhimit është më e pakët krahasuar me vite të kaluara.

Sipas Spahiut, shteti ka ofruar ndihmë financiare në vlerën 10 mijë lekë të vjetra për të mbështetur prodhuesit për çdo koshere bletë. Megjithatë, Spahiu bën thirrje që kjo ndihmë të përcaktohet si një masë afatgjatë dhe kërkon që agronomët të angazhohen në hartimin e udhëzimeve dhe kushteve për përdorimin e pesticideve në mënyrë të sigurt dhe të përcaktuar nga autoritetet përgjegjëse.