Banorët e fshatit Podgorcë në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës ankohen se prej 30 vitesh nuk kanë ujë vaditës për tokat e tyre. Syrja Shehi tregon se fshatit të tyre i ka munguar uji vaditës që pas shembjes së regjimit monist. Ai thotë se dikur fshati vaditej me ujin që vinte nga Bllaca e Shupenzës, por kanali nuk funksionoi më pas viteve 90. Po ashtu, në fshat mungon edhe uji i pijshëm. Banorët e merrnin dikur nga malet e Maqellarës, ndërsa sot janë të detyruar që të pijnë ujë nga puset e tyre, megjithëse nuk kanë asnjë siguri për cilësinë e ujit.

Fshati Podgorcë nuk ka vetëm problemin e vaditjes dhe ujit të pijshëm. Në këtë fshat një tjetër problem është edhe infrastruktura rrugore edhe pse ndodhet jo shumë larg rrugës së Arbrit.