Dibra e Bulqiza vijojnë të jenë të mbërthyera nga bora, ndonëse situata po shkon drejt përmirësimit të plotë. Rrugët kryesore të të gjitha njësive administrative janë të hapura ndërsa puna vijon për të nxjerrë nga izolimit banorët e fshatrave të Njësive Administrative Lurë, Kala e Dodës e Selishtë në Bashkinë Dibër, si dhe të fshatrave të Ostrenit e Trebishtit dhe Martaneshit në Bashkinë Bulqizë. gjatë këtyre ditëve mijëra banorë qëndruan në terr për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Banorët e fshatrave të Bulqizës e Dibrës shprehen se sasia e madhe e borës së rënë pasditen e së dielës dhe gjatë gjithë ditës së hënë ka këputur telat përcjellës e kanë thyer shtyllat duke i lënë në errësirë prej 4 ditësh.
Grupet e shtuara të OSHEE janë në terren, ku në ndihmë të grupeve të degëve Bulqizë e Dibër kanë shkuar disa grupe nga Drejtoria Rajonale e OSHEE Burrel. Drejtues të këtij institucioni thanë se deri tani energjia është rikthyer në 80% të fshatrave pasi janë riparuar avaritë, ndërsa vijon puna intensive për riparimin e linjave në ato zona ku energjia mungon ende.