Moti i keq i cili përfshin gjithë vendin që prej së premtes ka krijuar proleme në furnizmin me energji elektrike në zonat e thella malore të Bulqizës e Dibrës.

Era e fortë dhe bora kanë dëmtuar rrjetin përcjellës, duke lënë në terr mijëra banorë.

Megjithëse situata ka vijuar e tillë edhe gjatë paradites së të shtunës, grupet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të rajonit Burrel kanë qenë në terren duke punuar për riparimin e këtyre defekteve.

Linjat e dëmtuara janë kryesisht ato të tensionit të mesëm dhe të ulët. Problematike situata është paraqitur në Njësinë Administrative Ostren, disa fshatra të Martaneshit, Trebishtit, e fshatrat e Zerqanit, ku dhe ka patur prani të dëborës.

Situata klimatike pritet të vijojë të jetë e keqe edhe për orët në vijim, ku priten rënie të temperaturave dhe reshje dëbore.

Qytetarët këshillohet që të tregojnë kujdes me lëvizjet e tyre dhe për çdo emergjencë, të njoftojnë organet përkatëse për tju ardhur në ndihmë.