Situata e krijuar nga Covid-19 në vendin tonë po jep efektet në ekonomi, duke ndikuar në shumë sektor të saj. Një ndër to është edhe ai i hotelerisë në qytetin e Peshkopisë në zonën e Qendrës Balneare. Pronarët e hoteleve apo banesave që lëshohen me qera për frekuentuesit e llixhave, thonë se kjo pranverë për ta ka shkuar dëm, pasi gjithçka u mbyll që në fillim të Marsit. Por si të mos mjaftonte kjo, ata shprehen se nuk po marrin asnjë prenotim edhe për sezonin e vjeshtës, e kjo sipas tyre për shkak të deklaratave që koronavirusi mund të rikthehet në muajt Shtator e Tetor, që përkon edhe me sezonin e llixhave. Vitet e kaluar sezoni i vjeshtës pronotohej që në muajt e pranverës, por këtë vit ende nuk është bërë asnjë pronotim. Qendra Balneare në Peshkopi është ndër më të preferuarat në vendin tonë për shkak të efekteve kurative që kanë ujërat termale aty.