Familjarët dhe bashkëfshatarët e 49 vjeçarit Tofik Xhika i cili dyshohet se është rrëmbyer nga ujërat e lumit Drin i Zi në Dibër që prej datës 26 Dhjetor të vitit të kaluar, nuk janë ndalur për gjetjen e tij.
Kujtojmë se polumbarët e repartit të RENEA-s janë tërhequr në ditën e dytë të kërkimeve, por kjo nuk ka ndikuar aspak në inciativën e marrë nga i gjithë fshati për të gjetur 49 vjeçarin Xhika.
Familjarë të tij thanë se deri tani është kontrolluar vija lumore që nga fshati Fushë – Alije deri në Skavicë, në kufirin territorial të Bashkisë së Kukësit. Të rinj e të moshuar të fshatit janë angazhuar prej afro 10 ditësh në kërkim të Tofik Xhikës, por pa mund të gjejnë asnjë shenjë prej tij.
Deri sot e vetmja shenjë e gjetur kanë qenë një palë këpucë në breg të lumit, ku dyshohet se janë të të zhdukurit Tofik Xhika.
Familjarët dhe bashkëfshatarët i bëjnë edhenjëherë apel shtetit që të dërgojë specialist në terren për të kontrolluar siç duhet ujërat e lumit Drin i Zi, pjesën ku dhe dyshohet të jetë rrëmbyer Xhika mesditën e 26 Dhjetorit, teksa kishte dalë për të peshkuar.