Rruga e Njësisë Administrative Fushë Çidhën që i lidh ato me qytetin e Peshkopisë është tejet e amortizuar. Gropat e mëdha janë të pranishme në të gjithë aksin edhe pse ai shtrihet në një terren tërësisht fushor. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen se ka një mungesë të theksuar të vëmendjes së pushtetit vendor për infrastrukturën rrugore. Ata thonë se nuk mbahet mend hera e fundit që bashkia ka ndërhyrë për të bërë shtrimin të paktën me zhavor të kësaj rruge e cila ju shërben edhe banorëve të fshatit Fushë Aliaj. Më problematike situata paraqitet në stinën e dimrit ku ka prani të madhe të baltës dhe ngricës. Banorët kërkojnë që autoritetet të ndërhyjnë sa ende nuk kanë nisur shirat e vjeshtës pasi rruga po degradohet çdo ditë e më shumë po bëhet e pakalueshme për mjetet e vogëla. Njësia Administrative Fushë Çidhën ndodhet vetëm 13 kilometra larg qytetit të Peshkopisë, por vetëm 5 kilometra rrugë janë të paasfaltuara e të lëna në mëshirë të fatit.