Familja e Altin Laçit, nga Njësia Administrative Katriot i Dibrës, pas pesë vitesh emigracion në Suedi është kthyer në vendlidje për të vijuar jetën në atdhe. Por peripecia e parë që ka hasur kjo familje është mosregjistrimi i fëmijëve në shkollë dhe kjo ka shkaktuar një traumë për familjen Laçi. Që prej 1 shtatorit kryefamiljari dhe fëmijët e tij po sorollaten dyerve të institucioneve për regjistrimin e fëmijëve në shkollë, dhe kjo është arritur vetëm për vajzën që vazhdon klasën e parë. Ndërsa dy fëmijët e tjerë, Ordit dhe Klajdi Laçi duhet të vijonin respektivisht klasën e 9-të dhe të 6-të në arsimin 9-vjeçar, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Kryefamiljari Altin Laçi deklaron se e ka të plotë gjithë dokumentacionin ligjor nga institucionet përkatëse arsimore në Suedi që i nevojitet Zyrës Arsimore Vendore Dibër për regjistrimin e fëmijëve në shkollë. Por në shkollën që do t’i dërgojë fëmijët i kërkojnë të tjera elemente shtesë për njohjen e këtyre dokumenteve. Nga ana tjetër Altini insiston se për ligjet e shtetit suedez këto dokumente shkollore janë të rregullta.

Njëri nga djemtë e Altinit, Klajdi Laçi, që duhet të vijonte klasën e 6-të në vitin shkollor 2019-2020, lutet që të mos pengohet nga institucionet e shtetit shqiptar për të vijuar shkollën si të gjithë bashkëmoshatarët e tij.

Ministria e Arsimit me një udhëzim të posaçëm u ka bërë thirrje institucioneve vartëse që fëmijët e familjeve të kthyera nga emigracioni të ndihmohen për t’u integruar në shkollat e sistemit shqiptar, por me sa duket rasti i fëmijëve të shtetasit të sapokthyer nga Suedia në Dibër, Altin Laçi, dëshmon se ka ende ngërçe për mirëfunksionimin e këtij udhëzimi, në mënyrë që asnjë nxënës i moshës së detyrimit shkollor të mos mbetet jashtë dyerve të institucioneve arsimore.