Deri një javë më parë, pamja e lumit Drin i Zi në Gjoricë të Bulqizës ishte pothuajse e thatë. Shkak për këtë ishte bërë mbyllja e shkarkimeve nga ana e hidrocentralit të Spilesë nga shteti fqinj i Maqedonisë së Veriut. Pas bërjes publike të shqetësimit të banorëve të fshatit Gjoricë e Poshtme, pasi tharja e Drinit të Zi pasonte me tharjen e të mbjellave, situata është zgjidhur. Tashmë lumi Drin i Zi ka pamjen e tij natyrale ku prurjet në të janë të mëdha. Banorët nuk i dijnë ende arsyet se përse pala maqedonase bëri këtë veprim në pikun e nevojës për ujin për vaditje, e megjithatë ata ndjehen falenderues ndaj mediave që e ngritën shqetësimin. Lumi Drin i Zi në zonën e Bulqizës por edhe të Dibrës, në stinën e verës përdoret edhe për plazh. Tharja e tij kishte bërë që jo vetëm bzineset përgjatë bregut të këtij lumi të kishin pasoja ekonomike, por edhe vetë banorët të mos kishin mundësi për tu freskuar në orët e nxehta të drekës. Përfaqësues të pushtetit lokal në Bulqizë por dhe vetë banorët, janë shprehur vazhdimisht se mes shteteve ka një kontratë që gjatë stinës së Verës, pala Maqedonase nuk duhet të ndalojë ujin në rrjedhën e tij natyrale.