Qindra banorë të fshatit Kllobçisht në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës, ndjehen të braktisur qoftë nga pushteti vendor e qoftë nga qeveria. Fshati përbëhet prej afro 1000 frymësh, por në të mungojnë shërbimet elementare, si uji i pijshëm, infrastruktura rrugore e kanalizimet e ujërave të zeza.
Banorët shprehen se ndjehen të braktisur totalisht pasi asnjë investim nuk po bëhet për ta. Madje një prej tyre shprehet se as kryebashkiakun aktual të Dibrës nuk e njeh pasi vetëm njëherë e ka parë në fushatë elektorale. Të gjendur në këtë situatë, ata paralajmërojnë se do të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme, pasi si duke votuar e si pa votuar, për ta nuk bëhet asgjë.
Fshati Kllobçisht gjendet në kufi me Maqedoninë e Veriut, por banorët po e braktisin atë pothuajse çdo ditë.