Shërbimet e Policisë së Dibrës kanë arrestuar një 32-vjeçar të dyshuar për plagosjen e një të riu në qytetin e Peshkopisë.
Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi Jorgo Koltraka, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me një mjet të mprehtë në kokë shtetasin S.B., 25 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e ish-fabrikës së miellit në Peshkopi.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të strukturave të Policisë, autori i dyshuar u kap dhe u arrestua në flagrancë. I dëmtuari ndodhet në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia dhe shërbimet hetimore të DVP Dibër vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme ligjore.