Banorët e disa fshatrave në Dibër po përballen me dëme të shumta të shkaktuara nga Ariu i murrmë. Fermerë të fshatit Trenë në Dibër, thonë se prej disa ditësh pemët e qershisë po sulmohen nga ariu, i cili ka zbritur nga mali pranë fshatit të tyre. Shefik Fisniku thotë se nuk di se si të veprojnë me kafshën e egër, pasi veç dëmeve që po ju shkakton në plantacionet me qershi, atyre po ju rrezikohet edhe jeta, sidomos grave dhe fëmijëve. Shefiku tregon se vetëm dy vite më parë në fshatin Trepçë, ariu goditi rëndë një banor i cili përfundoi në spital. Problemi është se kafshën e egër nuk mund ta asgjësojnë pasi nuk e lejon ligji, ndaj kërkon ndihmën e autoriteteve.

Një tjetër banor i fshatit Grevë, Shpëtim Feruku thotë se mund të jenë disa arinj që sulmojnë natën plantacionet me qershi, pasi dëmet janë në disa zona njëherësh. Ai shton se është detyruar që të bëjë roje tek plantacioni për ta trembur kafshën e egër që të mos e dëmtojë më shumë.

Fermerët e Dibrës kërkojnë mbështetjen e institucioneve për të mos lejuar dëmtimin e mëtejshëm të kulturës së qershisë dhe mbi të gjitha, të mos ju rrezikohet jeta.