Tentuan të fshehin vdekjen e 65 vjeçarit në fabrikë, arrestohen tre persona

Policia e Bulqizës ka arritur të zbardhë ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në fabrikën e pasurimit të kromit ku humbi jetën një 65 vjeçar.

Policia ka vënë në pranga tre persona nën akuzat “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, “Moskallzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Policia ka arrestuar drejtuesin e fabrikës I.N 53 vjeç dhe punëtorët Rr.K 52 vjeç e A.A 38 vjeç.


Nga ana e grupit hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ka rezultuar se shtetasi M. K., (punëtor në subjektin Fabrika e Pasurimit të Kromit Bulqizë), ka qenë duke punuar në zonën e grumbullimit të ujrave kulluese të fabrikës, së bashku me shtetasit Rr. K., dhe A . A., të hypur sipër një varke të improvizuar dhe gjatë lëvizjes me të, kanë humbur ekuilibrin duke rënë në ujë, ku si pasojë shtetasi M. K., ka humbur jetën, dhe pas ngjarjes trupin e viktimës e kanë dërguar në banesë.