Java e dytë e fazës së tretë të grupit play off në kategorinë e parë rezervon ndeshjen më të fortë të saj mes Burrelit dhe Korabit të Dibrës. Përballja e dy ekipeve të të njëjtit qark është konsideruar gjithmonë si një derbi, ndërsa pritet të ketë rivalitet të fortë mes dy skuadrave, pretendente për supërligë. Për trajnerin e Burrelit, Samuel Nikaj derbi pavarësisht diferencave mes ekipeve ka rivalitet të fortë e kjo është treguar gjithmonë dhe ka të tre rezultatet. Megjithatë, neve na takon të hyjmë për fitore e asnjë rezultat tjetër. Sipas Nikajt gjendja e lojtarëve është mjaft e mirë dhe është i bindur që do të japin maksimumin në fushën e gjelbërt.
“Derbi është derbi, nuk ke çfarë të diskutosh. Duke patur parasysh diferencën mes ekipeve ka një shkallë vështirësie më të lartë, por gjithsesi kur ka një ndeshje derbi pavarësisht diferencave i ka të tre rezultatet. Ne normalisht do të synojmë fitoren ashtu si çdo ndeshje tjetër të luajtur deri tani. Masat i kemi marrë që me qenë 100% në formë dhe shpresoj pak edhe me ndihmën e Zotit të fitojmë ndeshjen e radhës. Gjendja e lojtarëve ka ardhur drejt përmirësimit, sepse kam patur katër a pesë lojtarë me dëmtime të vogëla. por kjo edhe falë punës së stafit mjekësor, mendoj që do të jenë të gatshëm për sfidë” – tha Nikaj.
Ndeshja pritet të prodhojë emocion të fortë për shkak të rivalitetit dhe qëllimit të të dyja skuadrave, të prekin superligën.