DEPUTETI MALAJ: KLOSI DHE MATI – BASHKIMI QË NA RIKTHEN TE RRËNJËT
Sot përfundon konsultimi publik për Reformën Administrativo-Territoriale. Prandaj dua të ndalem edhe njëherë te kjo çështje, për të cilën kemi diskutuar bashkë këto ditë, në takimet tona dhe jo vetëm. Do të mundohem të flas nisur nga historia dhe nga ajo çfarë prek drejtpërdrejt sot çdo banor të Bashkisë Mat dhe Klos. Dua ta nis nga historia, pasi përpara se të ishim dy bashki, Klosi dhe Mati kanë qenë bashkë. Kemi qenë pjesë e së njëjtës trevë, e të njëjtit territor, të së njëjtës histori dhe të së njëjtës traditë. Kemi pasur dhe kemi lidhje familjare, ekonomike e shoqërore që nuk i ka ndërtuar një hartë administrative dhe nuk mund t'i fshijë një hartë administrative. Klosi dhe Mati janë pjesë e trevës së Matit dhe janë një. Ky është një realitet historik dhe territorial që gjithsecili nga ne e di mirë. Në vitin 2014, reforma territoriale na ndau administrativisht. Prandaj, sot po diskutojmë nëse duhet ta korrigjojmë atë ndarje apo jo. "Unë besoj se PO." Ky korrigjim nuk do të thotë që zhduk Klosin, përkundrazi. Po flasim për një bashkim administrativ të një territori që historikisht ka qenë i lidhur. Klosi do të vazhdojë të jetë Klos. Do të ketë qytetin e vet, njësitë administrative, shërbimet dhe identitetin e vet. Ajo që ndryshon është niveli i bashkisë. Unë besoj se ne nuk duhet të biem pre e pyetjes dashakeqe “Kush po e merr Klosin?” Pyetja e duhur në këtë rast është: “Çfarë mund të bëjmë më mirë së bashku?” Duke u bashkuar Mati dhe Klosi, kemi një bashki më të madhe, që do të thotë kapacitete më të mëdha administrative, më shumë burime të menaxhueshme në një territor të vetëm dhe mundësi për të planifikuar investimet jo më si dy territore që konkurrojnë me njëri-tjetrin, por si një territor i vetëm me një vizion të përbashkët. Sot Klosi është një bashki me kapacitete financiare të kufizuara. Buxheti i planifikuar për vitin 2026 është rreth 400 milionë lekë, ndërsa Bashkia Mat ka një buxhet afërsisht 2.4 miliardë lekë. Sot në Klos kemi problem me kapacitetin për të mbledhur të ardhura, për të financuar shërbime, për të përgatitur projekte, për të tërhequr investime, për të kontrolluar territorin dhe për të ofruar shërbimet e nevojshme. Kështu duhet parë reforma, jo si humbje territori, por si rritje kapacitetesh. Kur bashkohen burimet dhe administrimi i një territori më të madh, mund të planifikosh ndryshe. Mund të mendosh rrugët, turizmin, ekonominë lokale, bujqësinë, shërbimet dhe zhvillimin urban si pjesë të një strategjie të vetme. Prandaj unë do t'u bëja një pyetje atyre që në vitin 2014 vendosën ta ndanin trevën e Matit në dy bashki dhe që sot dalin kundër këtij bashkimi: Çfarë humbet Klosi? Humb qytetin? – Jo. Humb historinë? – Jo. Humb identitetin? – Jo. Humb shërbimet? – Përkundrazi. Dhe tani pyetja tjetër: Çfarë fitojmë? Më shumë kapacitet administrativ? – Po. Një territor më të madh për planifikim dhe zhvillim? – Po. Mundësi më të mëdha për investime? – Po. Një vizion të përbashkët për Matin? – Po. Një zë më të fortë përballë institucioneve qendrore? – Po. Atëherë le ta bëjmë debatin serioz. Nëse dikush beson se Klosi është më mirë i vetëm, le të na tregojë si. Cili është plani? - Sa investime më shumë do të sjellë? - Sa të ardhura më shumë do të krijojë? - Sa më shumë shërbime do t'u ofrojë qytetarëve? Klosi nuk duhet të përdoret si instrument nga askush. As nga deputetët e PD-së që nuk njohin historinë e trevës së Matit, as nga ish-kryetarë bashkish, as nga askush që mendon se një ndarje administrative është më e rëndësishme se interesi i qytetarëve. Sepse, në fund të ditës, pyetja nuk është se kush do të ketë një zyrë më shumë, por çfarë do të ketë komuniteti më shumë. Pse duhet të qëndrojmë të ndarë, kur kemi qenë bashkë dhe kur bashkimi mund të na japë më shumë mundësi? Kjo është arsyeja pse unë e shoh bashkimin e Klosit me Matin jo si një humbje, por si një mundësi.