Në prag të publikimit të progres-raportit të BE-së po shtohen gjasat që vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në vjeshtë. Në Gjermani kanë dalë në pah kohët e fundit dallimet mes Partisë Socialdemokrate dhe Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial. Grindja e dy partive më të mëdha në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) ka të bëjë me datën e votimit për çeljen e negociatave. Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve të dy vendeve, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial e ka caktuar datën e vendimit për 23 shtator.
Që shumica e Bundestagut është pro perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor në BE, kjo u vu re edhe nga një debat që u zhvillua para ca kohësh (9 maj) në plenum, kur Bundestagut iu desh të merrej me një kërkesë të partisë populiste djathtiste Alternativë për Gjermaninë (AfD). Partia në fjalë kërkonte që Ballkanit Perëndimor të mos i ofrohej anëtarësim, por vetëm “partneritet i privilegjuar”.
Siegbert Droese, folës i grupit parlamentar të AfD-së për çështje të jashtme, tha se sidomos në rastin e Ballkanit Perëndimor, BE-ja duhej “të ndërgjegjësohej për prejardhjen e saj si një bashkësi ekonomike” dhe të orientohej në ekspertizën ekonomike”. Sipas AfD-së, Ballkani nuk i sjell asnjë përfitim ekonomik tregut evropian.”
Kërkesa e AfD-së tani është duke u shqyrtuar nga komisionet përkatëse, por në bazë të deklaratave të deputetëve mund të thuhet se këtë propozim nuk e mbështet asnjë parti e Bundestagut. “E Majta” është në përgjithësi kritike ndaj politikës së BE-së në Ballkan dhe për pasojë edhe kundër negociatave. Sevdim Dagdelen, deputetja e kësaj partie, e akuzoi BE-në se e trajton Ballkanin si “shesh konfliktesh ndërmjet fuqive të mëdha” dhe jo si “partner me të drejta të barabarta”.
Katër partitë e tjera të përfaqësuara në parlamentin gjerman janë më të moderuara dhe për pasojë pro çeljes së negociatave, edhe pse kanë përfytyrime të ndryshime përsa i përket momentit të nisjes së negociatave dhe shpejtësisë së zhvillimit të tyre. Liberalët janë më neutralët në këtë pikë dhe nuk hyjnë në debatin se kur duhen çelur negociatat: Thomas Hacker, deputeti i kësaj partie, lavdëroi arritjet e Shqipërisë në procesin e Vetingut: Fakti që mbi 100 gjyqtarë janë kualifikuar, do të thotë se kjo reformë nuk është një tigër pa dhëmbë,” tha ai duke shtuar se “kjo dëshirë për reforma duhet marrë seriozisht”.
Veç të Gjelbërve, ministri gjerman i shtetit gëzon edhe mbështetjen e kolegëve të partisë së tij, socialdemokratët, të cilët, siç i tha DW-së, në një intervistë raportuesi i kësaj partie për Ballkanin Perëndimor, Metin Hakverdi, janë për një trajtim njëherazi të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Këtë e kundërshton Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial, grupi parlamentar i të cilit është më i madhi në Bundestag: Siç mësoi Deutsche Welle pranë qarqeve të këtij Unioni, ai është marrë vesh brenda vetes që kjo temë të trajohet më 23 shtator, pra, jo në qershor.
Argumenti zyrtar, të cilin e përdori gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama në fund të prillit edhe zëvendëskryetari i këtij grupi parlamentar, Johann David Wadephul, dhe që ai e tha edhe në një intervistë me Deutsche Wellen është mungesa e kohës për të shqyrtuar me kujdes progres-raportet që do të dalin më 29 maj.