Dëmtohet rruga “Flamur Pisli”
Rruga që lidh fshatrat Plesh, Patin e Cerujë me rrugën nacionale Klos – Burrel, është dëmtuar. Kjo rrugë që mban emrin “Flamur Pisli”, është e dëmtuar nga hyrja në vendin e quajtur “Kthesa e Cërujës” si dhe në disa segmente të fshatit Pleshë. Ky aks rrugor ka vite që është asfaltuar, ndërsa drejtuesit e mjeteve ngrenë shqetësimin se po kthehet në gati e pakalueshme, pasi në shumë pjesë është hequr i gjithë asfalti. Ata fajësojnë mjetet e tonazhit të rëndë që vijnë me mineral kromi nga galeritë që ndodhen mbi fshatin Cërujë dhe Patin. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të autoriteteve dhe kontroll më shumë për tonazhin e makinave që lëvizin në këtë aks rrugor, pasi për pak kohë mund të bëhet i pakalueshëm nga automjetet e vogla si pasojë e krijimit të gungave në mes të karrexhatës. Kjo rrugë e cila përdoret nga tre fshatra të Bashkisë Klos është shumë e rëndësishme për banorët e kësaj zone që zhvillojnë tregtinë për prodhimet bujqësore në tregun e Klosit por edhe në atë të Burrelit dhe Tiranës.