Qytetarët e Bulqizës të cilët frekuentojnë bulevardin e lagjes së vjetër, duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Kjo për shkak se shtresa me pllaka në këtë pedonale është dëmtuar rëndë që nga hyrja në lindje e deri në fund të saj në perëndim në afërsi të spitalit. Qytetarët thonë se gjendja është e keqe sidomos për moshën e tretë e cila rrezikon të thyejë këmbët teksa pengohet nga pllakat e thyera në këtë pedonale. Por më problem situata paraqitet për personat para e tetraplegjik të cilët lëvizin me karrocë. Ata shprehen se duhet të kenë shoqërues për të kaluar në pedonale pasi në pjesët ku ka dëmtime të pllakave, lëvizja është shumë e vështirë. Edhe pse në këtë hapsirë nuk është lejuar asnjëherë qarkullimi i makinave, pllakat e vendosura pak vite më parë janë dëmtuar.
Burime bëjnë me dije se për këtë pedonale është hartuar një tjetër projekt rehabilitues nga pushtetit vendor, por kjo mbetet për tu parë në të ardhmen. Ky rehabilitim i kësaj pedonaleje është bërë në kuadër të programit të “Rilindjes Urbane”.