Një ditë më parë nxënësit që frekunetojnë aneksin shkollor në fshatin Kloskatund të Bashkisë Klos, ngritën shqetësimin e tyre në lidhje me dëmtimin e rrethimit. Shembja e rrethimit i bënte ata të pasigurtë për shkak edhe se godina ndodhet fare pranë rrugës nacionale Klos – Bulqizë.
Për këtë ata kërkuan që të ndërhyhet sa më parë, pasi mungesa e rrethimit ishte kthyer në një problem shqetësues.
Kryetari i Bashkisë Klos, Basir Çupa tha se për problemin në fjalë nuk ka patur një kërkesë zyrtare nga institucioni arsimor që e ka në varësi. Megjithatë, ai shtoi se do të ndërhyhet shumë shpejt, pasi siguria e nxënësve është shumë e rëndësishme.