Që me nisjen e punimeve në rrugën e Arbrit rruga e fshatit Fshat në Bashkinë e Klosit është degraduar pothuajse e gjitha. Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë të firmës që po ndërton rrugën e Arbrit ka bërë që kjo rrugë të bëhet gati e pakalueshme për mjetet e vogla. në të gjithë gjatësinë e saj janë krijuar gropa të mëdha nga pesha e rëndë e automjeteve që kanë transportuar materiale ndërtimi për urën e Vashës apo atë që po ndërtohet aktualisht nga fshati Fshat në fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër.
Banorët e Fshatit, janë ankuar shpesh për problemet që janë shkaktuar nga mjetet e tonazhit të rëndë të cilat veç dëmtimit të asfaltit në shumë raste janë bërë pengesë për qarkullimin e atuomjeteve. Drejtuesit e mjeteve shprehen se firma që e ka prishur duhet të ndërhyjë pasi ajo është përgjegjëse.
Ky aks rrugor nuk shërben vetëm për banorët e fshatit Fshat, por edhe të fshatit Gurë i Bardhë, Shkallë e Xibër – Murrize në Njësinë Administrative Xibër.