DEGRADON RRUGA “FLAMUR PISLI”, DREJTUESIT E MJETEVE: JEMI TË RREZIKUAR
Rruga “Flamur Pisli”, që nis nga kthesa e Cerujës në aksin nacional Klos–Burrel dhe lidh tre fshatra të bashkisë Klos, është në gjendje të degraduar. Problematikat janë veçanërisht të dukshme në fshatin Pleshë, ku krahas gropave të shumta janë shfaqur edhe shembje të rrugës. Një nga problemet më serioze ndodhet pranë kryqëzimit të fshatrave Patin dhe Cerujë, ku një pjesë e rrugës ka pësuar një shembje të konsiderueshme në njërën anë, duke rritur rrezikun për drejtuesit e mjeteve. Banorët dhe drejtuesit e automjeteve shprehen të shqetësuar për sigurinë, veçanërisht për personat që kalojnë për herë të parë në këtë aks dhe për emigrantët që kthehen gjatë sezonit veror dhe nuk janë në dijeni të rrezikut që të ofron ky aks rrugor rural. Sipas drejtuesve të mjeteve, në mungesë të një ndërhyrjeje të plotë, të paktën duhet të vendoset sinjalistikë paralajmëruese në zonat e shembjeve dhe të dëmtuara, për të shmangur aksidentet. Rruga e Cerujës dhe ajo e Patinit janë rehabilituar plotësisht disa vite më parë, por dëmtimet kanë nisur të shfaqen sërish në këto akse dhe po vështirësojnë qarkullimin normal të banorëve.