Këtë vit nxënësit që kanë mbaruar arsimin parauniversitar në vendin tonë nuk do të tërheqin fizikisht dëftesat e vitit shkollorë pranë shkollave ku kanë përfunduar studimet. Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka vendosur që këto dokumente të merren nëpërmjet portalit e-albania.
“Jemi krenarë që këtë vit arritëm ta përmbushim me sukses angazhimin tonë që si çertifikatat e notave të maturës, ashtu dhe dëftesat e nxënësve për çdo vit shkollor në sistemin parauniversitar, të printohen nga platforma e-Albania sa herë që dëshironi, pa qenë nevoja të drejtoheni fizikisht në institucionet arsimore. Kjo arritje u bë e mundur si rezultat i bashkëpunimit me AKSHI-n dhe QSHA-në për ndërtimin dhe vënien në funksion të plotë të sistemit SMIP, si dhe falë përkushtimit e këmbënguljes maksimale të të gjithë mësuesve dhe zyrave arsimore për ta realizuar këtë shërbim në kohën e duhur” – thuhet ndër të tjera në postimin në rrjetet sociale të Ministres Evis Kushi.
Ndërkohë, këto dokumente do të dalin në llogarinë e prindërve që kanë në portalin e-albania, pasi nxënësit nën 16 vjeç nuk mund ta kenë një të tillë. Megjithëse, ky njoftim është bërë katër ditë më parë, ende shumë prindër nuk kanë arritur të marrin dëftesat e fëmijëve në portal pasi nuk i gjejnë dot se në cilin sektor janë. Burime për Mat Tv thanë se shkak mund të jetë mbingarkesa e sistemit të implementuar për këtë shërbim, porse do të hidhen tek rubrika “Hapsira Ime”.