Në Bulqizë e Dibër reshjet e dëborës kanë rënë pa ndërprerje gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe vijojnë ende. Trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë shkon në 10 cm, ndërsa në zona të thella kalon mbi 70 cm.
Të bllokuara janë rrugët që lidhin qytetin e Peshkopisë me Njësit Administrative Lurë, Selishtë, fshatrat e Kalasë së Dodës, Sllovës, Luznisë dhe një pjesë e fshatrave të Tominit dhe Melanit.
Në Bulqizë ka rreth 10 cm dëborë në qytet, ndërsa në zona të thella ka 70 cm. Të bllokuara janë fshatrat e Njësive administrative Krastë, Ostren, Trebisht dhe disa fshatra të Njësive Zerqan e Fushë Bulqizë. Të dyja Bashkitë kanë pastruar rrugët e brendshme të qytetit, por ende nuk kanë nisur të hapin rrugët e Njësive Administrative.
Aksi Peshkopi – Burrel – Tiranë është i kalueshëm pa probleme pasi gjatë gjithë natës kanë punuar 6 mjete borëpastruese.
Aksi ura e Çerenecit-Klenjë-Librazhd kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë nga Klenja deri në Steblevë pasi trashësia e borës shkon në 80 cm.