Dhurata Çupi kërkon votën e dibranëve për të dytën herë si deputete e Partisë Demokratike.

Sfidat i ka të qarta, teksa shprehet se Dibra, është qarku më i varfër në vend.

E ftuar në Ora News, Çupi thotë se varfëria ekstreme ka çuar në largime masive, kryesisht të të rinjve.

Çupi: Është qarku më i varfër në vend, aspak nuk ndihem mirë. Me një popullësi të larguar nga ky qark, 50 mijë vetëm në katër vitet e fundit pa llogaritur pjesën e pandemisë. Ka varfëri ekstreme, dhe paga mesatare është më e ulëta në të gjitha qarqet e Shqipërisë.Kjo vjen për shkak të mungesës së investimeve nga ana e qeverisë. Investimet rritin punësimin për banorët e atyre zonave dhe sigurisht ngre dhe ekonominë familjare. Ka pasur zero investime  publike në 8 vite, është hequr ndihma ekonomike, ka pasur reprezalje. U mbyll Universiteti i Dibrës dhe i cënoi të rinjtë në të ardhmen e tyre. Shumica ose janë larguar në emigrim ose janë sot kontigjent i varfërisë dhe papunësisë. Kemi një qark pothuajse të shkretuar.

Për shkak të harresës nga qeveria Rama, kandidatja për deputete e PD thotë se ka një shpresë të madhe të dibranëve te Lulzim Basha dhe programi i tij.

Çupi: Ka një shpresë të jashtëzakonshme të programi i PD, lideri zoti Basha, sepse ka krijuar besimin e qytetarëve. Dje isha në një takim në Burrel dhe ka shpresë të madhe se kjo qeveri do të shkojë në shtëpi pas 25 prillit.

E ndërsa fushata elektorale ka nisur prej ditësh, Çupi thotë se aktorët e dosjes “184” vijojnë të mbeten aktiv në Dibër edhe në këto zgjedhje.

Çupi: Ka një trysni në qarkun e Dibrës, vazhdon të ketë të njëjtët aktorë të dosjes “184”. Sistemi i drejtësisë nuk arriti ti izolojë për të mos thënë ti dënojë. Këta aktorë janë shumë aktiv në qarkun e Dibrës.

E bindur te rrotacioni i 25 prillit, ajo thotë se do të jetë lobuesja më e madhe te Basha dhe qeveria e demokratëve për ta nxjerrë Dibrën nga varfëria.

Çupi: Besimi i dibranëve në votë do të jetë padiskutim në krah të qeverisë së PD dhe Lulzim Bashës Kryeministër. Do të jem lobuesja më e fortë pranë Lulzim Bashës, qeverisë, grupit parlamentar që qarkun e  Dibrës ta heqim në mënyrë imediate nga varfëria. Pas 2013 qarku i Dibrës ka qenë i mohuar nga kjo qeveri.