Çudirat me rrjetin elektrik në Bulqizë nuk kanë të mbaruar. Pas problemit të shtyllës elektrike në mes të rrugës në lagjen “Minatori”, një tjetër qytetar ka denoncuar neglizhencën e degës së OSHEE Bulqizë. Bashkim Çupi nga lagjja e re e Bulqizës, tregon se prej më shumë se një viti e gjysmë, një kabull trefazorsh i rrjetit elektrik është mespërmes oborrit të tij, duke kaluar nëpërmjet vreshtës në një distancë shumë të ulët me tokën. Bashkimi tregon se kabulli mund të kapet edhe nga fëmijët, ndërsa në rast të ndonjë shkëndije atij i rrezikohet edhe banesa. Bashkim Çupi shprehet se e ka bërë problem shqetësimin e tij edhe pranë OSHEE në Bulqizë, por deri tani nuk ka marrë zgjidhje.
Nga ana tjetër, banori Bashkim Çupi thotë se nëse OSHEE nuk merr masa, do të njoftojë policinë dhe më pas do ta presë kabullin, i cili lë pa energji 25 familje.