Sindikata e Minatorëve të Bashkuar denoncoi se në minierë nuk ishin marrë masa, ndërsa akuzoi se minatorët punonin në grupe të mëdha. Kompania Albchrome pretendoi se kishte bërë kontrolle shëndetësore dhe se miniera nuk mund të mbyllej. Kompani të tjera thanë se nuk do e ndërprisnin punën.
Pas njoftimit të dhjetra rasteve me virusin Covid-19, qeveria njoftoi përshkallëzimin e masave për të ndaluar përhapjen e virusit. Kryeministri Edi Rama, njoftoi të martën se një pjesë e mirë e administratës do të punonte nga shtëpia, ndërsa qytetarët i ftoi të qëndronin në shtëpi.
Por edhe pse me të tillë masa, minatorët në Minierën e Bulqizës, vazhdojnë punën. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, në një njoftim ndarë për mediat bashkë me disa foto nga miniera, bën me dije se puna në sektorin minerar vazhdon pa asnjë lloj kufizimi.
“Në këto fotografi që na kanë ardhur nga minatorët që punojnë në minierën e kromit të administruar nga kompania Albchrome në Bulqizë, dallohet afërsia e madhe që kanë punëtorët me njëri-tjetri, po ashtu edhe rreziku i lartë prej infektimit. E megjithatë puna në miniera vazhdon: as kompanitë e as institucionet nuk janë duke marrë masat që kërkon situata e rëndë në vend”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Kompania Albchrome mohoi që në minierë nuk ishin marrë masa, ndërsa tha se puna në minierë nuk mund të mbyllej dhe se gjithmonë duhej të kishte gadishmëri. “Deri më tani nuk raportohet asnjë punonjës në minerën e AlbChrome në Bulqizë me COVID-19, ndërkohë që janë marrë një sërë masash për të ulur përhapjen e COVID-19. Në çdo fillim turni të gjithë punonjësit kontrollohen për temperaturë dhe të gjithë ata që shfaqin shenja gripi dërgohen në shtëpi”, tha kompania. Ajo shtoi se ishte në kontakt me institucionet dhe se do të vepronte sipas udhëzimeve të tyre,
Abchrome tha se nuk mungonin masat, përfshi dizifiketuesit dhe personeli mjekësorë.
Por disa minatorë me të cilët BIRN kontaktoi me telefon, në kushte anonimati thanë se ishin të frikësuar dhe se kushtet e higjenës nuk ishin të mira. “Frikë kemi se kushtet e higjenës që kërkohen për t’u rujt janë si janë në minierë. Por që punën se lëmë dot se të heqin, pak sebep duan. E mira do kishte qene që të pezullohej puna sa të ikte kjo vala e virusit, por Zoti na ruajt” u shpreh një minator.
Ndalim pune nuk ka pas as në galeritë e tjera. Në kontaktet me disa nga administratorë të kompanive minerare, që operojnë në zonën mineralmbajtëse D dhe zonën e parë në Bulqizë, për të mësuar nëse e kanë pezulluar punë, ata thanë se “deri më sot nuk ka asnjë urdhër për pezullimin e punës”.
Roland Kurti, drejtori rajonal për ISHPSHSH Dibër, i tha BIRN se nuk kanë asnjë urdhër për ndalimin e punës në sektorin minerar dhe se në një rast të tillë kompetenca është e Institutit të Shëndetit Publik. “Lidhur me punëmarrësit në sektorin minerar, nuk kemi ndonjë urdhër për pezullimin e punës” deklaron Kurti. Në kontaktet që Kurti deklaron se ka pasur me kompaninë Albchrome, bën me dije se nga dita e shtunë e deri të hënën do punojnë vetëm punëmarrësit e sektorit të sigurisë.
BIRN ju drejtua edhe zyrës së medias në Institutin e Shëndetit Publik , por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se përhapja e koronavirusit nëpër botë mund të “karakterizohet si pandemi”. Kryeministri Edi Rama i’u kërkon qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të tregojnë kujdes për higjenën personale.