ÇMIMI I LARTË I NAFTËS DETYRON BUJQIT T’I KTHEHEN PUNËS ME KRAH
Çmimi i lartë i karburanteve vijon të dëmtojë sa më shumë bujqësinë. Veç uljes së sipërfaqes së tokës së punuar, efekt ka patur edhe në procese të tjera. Shumë procese bujqit janë detyruar t’i bëjnë me krah për shkak të çmimit të lartë të karburanteve. 82-vjeçari Elez Elezi, nga fshati Bërshi i Klosit, është detyruar që plehun e bagëtisë ta shpërndajë me krah këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara që e shpërndante me zetor. I moshuari thotë se ka dy arsye që merret me bujqësi, e para është të ndihmojë të ardhurat ekonomike pasi pensioni që merr është i pamjaftueshëm. Por ai thotë se me këto çmime të larta të karburantit, askush nuk do që të merret me bujqësi. Sipas ekspertëve të fushës, që prej rritjes së çmimit të karburanteve me nisjen e luftës SHBA, Izrael – Iran, bujqësia në vendin tonë është dëmtuar rëndë, pasi nuk ka patur një politikë të mirëfilltë për ta mbrojtur bujkun nga kjo rritje e çmimit të karburanteve dhe lëndëve të para bujqësore.