Sektori minerar në vendin tonë prej tre vitesh ishte futur në një krizë të thellë shitjeje, duke bërë që çmimi për ton të zbresë në mënyrë drastike deri në 140 Dollarë Amerikan.
Por muajt e fundit çmimi është rritur dhe për mineralin me cilësi 42% ka shkuar në 230 dollarë për ton. Megjithatë, kjo nuk e ka zbutur krizën që kishte mbërthyer kompanitë mineralnxjerrëse të cilat për shumë muaj nuk punuan fare, ose punuan me personel të reduktuar.
Drejtues të kompanive mineralnxjerrëse në Bulqizë, thanë për Mat Televizion se çmimi është ende larg pritshmërive, pasi me aq sa shitet sot nuk mbulojnë dot as kostot e fuqisë punëtore, taksat e makineritë, duke mos llogaritur kështu fitimet.
Një tjetër problem me të cilin po përballen kompanitë mineralnxjerrëse është edhe rritja e çmimit të kontejnerëve për transportimin e kromit drejt Kinës. Sipas drejtuesve të disa kompanive, çmimi është trefishuar, çka mban pezull edhe çmimin e mineralit.
Lulëzimin më të madh ky sektor e ka patur deri në vitin 2010 ku një ton krom është shitur deri në 500 dollarë, ndërsa nga viti 2013 një ton krom është shitur me 330 dollarë duke njohur rënien më të madhe dy vite më parë, në 140 dollarë amerikan për ton.