Gjok Noka shfryn ndaj gjykimit. Pas humbjes me Burrelin, presidenti i Besëlidhjes lëshon një lumë akuzash për arbitrin dhe jo vetëm. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti reklamon gabimet e Juxhin Xhajës, por edhe ato të organizatorëve të ndeshjes.
“Kur shkuam në Burrel dhe pamë që ndeshjen do ta drejtonte një gjyqtar me stemën e FIFA-s, u gëzuam pa masë. Kjo ishte edhe kërkesa jonë publike drejtuar komisionit të caktimit të arbitrave. Nuk e kuptoj, por pikërisht gjyqtari ishte ai që e prishi lojën. Këtë e tregojnë kartonët që na janë akorduar neve dhe jo vendësve, pavarësisht se i meritonin. Kjo avancoi deri aty sa na u mohua një penallti e patër. Kjo nuk ka nevojë për koment, pamjet flasin vetë.
Gjyqtari nuk kishte ardhur për gjykimin e ndeshjes, por për qëllime të tjera. Nëse do të ishte serioz delegati, kjo ndeshje nuk duhet të niste fare. Nuk ishte marrë asnjë masë nga klubi pritës. Shkurt, nuk kishte asnjë kusht ligjor të plotësuar për nisjen e saj. Në ambientet e stadiumit kishte njerëz të paautorizuar që lëviznin sipas qejfit duke na bërë presion me të shara nga më të ndyrat. Shkallët e stadiumit ishin të mbushura plot.
Në stadium ishin të paktën 300 tifozë, më shumë sesa në kohën normale para pandemisë. Policia e Shtetit ishte e pranishme gjatë gjithë kohës brenda ambienteve të stadiumit, madje deri te fusha. Me rregullore, Policia e Shtetit dislokohet jashtë stadiumit.