Çifti nga Kosova, nga nostalgjia e ikjes nga lufta, në vizitat për qejf
Shqiptarët e Kosovës vijojnë të jenë vizitorët më të shumtë të vendit tonë. Shumë prej tyre vijnë nga plagët e luftës së vitit 1999 kur pushtuesi serb nisi një spastrim etnik prej Kosovës. Të njëjtin fat pati edhe familja Hoxha nga Malisheva. Ajo u detyrua të largohej nga Kosova dhe të gjente mbështetje në Shqipëri. Por kjo e ka lidhur më shumë me vendin tonë. Nuhih Hoxha thotë se qëndrimi në Shqipëri ka qenë shumë i mirë pasi është pritur ngrohtë dhe është ndihmuar në maksimum. Por prej më shumë se 15 vitesh, çifti Nuhih e Myzaqete Hoxha e vizitojnë rregullisht vendin tonë. Madje ata thonë se kanë shkuar në shumë vende turistike, kryesisht malore. Ata ndjehen si në shtëpinë e tyre, ndaj rikthimi për ta është gjithmonë kënaqësi. Pasi kanë vizituar Matin, Klosin, destinacioni i radhës i çiftit Hoxha nga Malisheva e Kosovës, është Bulqiza dhe Peshkopia ku do të qëndrojnë përrreth 2 javë.