Ekipi i futbollit “Bylis” ka vijuar edhe këtë javë kryesimin e kategorisë së parë me 29 pikë të grumbulluara në 11 ndeshje të luajtura. Ballshiotët fituan me përmbysje në “Liri Ballabani”, teksa mundën me rezultatin 2 me 1 ekipin e “Burrelit”.

Ndërkohë që dueli në fushën e lojës nisi me eufori në kampin matjan, pasi mbrojtësi Aleks Dedgjonaj arriti të kalojë ekipin e tij në avantazh që në minutën e katërt teksa shënoi golin e parë me kokë.

Ndërkohë, nuk kanë vonuar miqtë ballshiotë që kanë barazuar shifrat. Është Peralta i cili shënon golin e parë për Bylisin në minutën e 13. Portieri Dani nuk arriti ta largonte topin nga kuadrati, ku më pas preku rrjetën.

Vetëm 8 minuta më vonë do të vendosej rezultati final i takimit. Është Emini i cili shënon golin e fitores për miqtë. Minutat e mbetura të lojës nuk ndryshojnë asgjë sa i përket fituesit të kësaj sfide, ndërkohë që gjyqtari kryesor i takimit Vrapi ndëshkoi me kartonë plot 10 lojtarë, 7 nga Burreli e tre nga Bylisi, mes të cilëve edhe një të kuq në minutën e 90-të.

Ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan, Korabi – Tomori 4 me 0, Flamurtari – Luzi Vogël 2 me 1 dhe Apolonia – Lushnja 4 me 1.