Më datën 1 janar ndodhi një ngjarje e rëndë në Sauk të vjetër. Ajo që u mendua një darkë e familjare, u kthye në një sherr.

Saimir Bakalli së bashku me bashkëshorten e tij, Liljana, po darkonin te familja e kësaj të fundit me prindërit dhe vëllain.

Shkak i nisjes së konfliktit, ishte një skenë nga televizori, i cili i fiksuar te një këngë e Sinan Hoxhës, ndërsa Saimiri e ndryshoi kanalin. Liljana iu përgjigj “se pse e bëri”.

Bashkëshorti i kërkoi llogari pse e tha diçka të tillë. E mori për të pirë cigare dhe i tha se ajo “kishte pëlqim ndaj Sinanit” dhe se “nuk i dukej ai, po aq i bukur sa Sinani”. Bashkëshorti nisi me ofendime ndaj gruas.

Situata degradoi, pasi në një moment Liljana mori thikën dhe donte të vriste veten. Saimiri u mundua t’ia hiqte nga dora dhe aty u plagos dhe babai i saj në dorë  kur donte t’i ndante. Liljana e denoncoi dhe policia bëri arrestimin e tij.

Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, në Top Channel, gruaja e re ku tregoi se si ka nisur i gjithë sherri. Ajo tha se Saimiri nuk ka plagosur babanë e saj, por gjithçka ndodhi kur ajo tentoi të vriste veten.

“Dhunë nuk ka patur, por lindi një konflikt. Mora thikën të vrisja veten, e nuk më lejuan prindërit dhe vëllai së bashku me Saimirin. Ai e tërhoqi thikën, por nuk e ka plagosur babain tim me dashje”, tha 25-vjeçarja.

Sipas saj, bashkëshorti i saj është xheloz për çdo njeri. “Vetëm se i thashë mos lëviz televizorin, ishte muzikë popullore, jo se e pashë se kush ishte. Nuk i thashë se më pëlqen Sinan Hoxha. Më mori më vete e më tha: ‘a nuk jam i bukur si ai’. Gjithashtu nuk jemi zënë për Anën e “Për’puthen”. Ne thjesht po shikonim emisionin, kur ai tha: ‘jam i ri e mund të shoh prapë  femra’, por nuk iu referua Anës”, tregoi ajo.

Liljana tregoi se e ka denoncuar edhe herë të tjera Saimirin, pasi ai ushtron dhunë ndaj saj që në vitin 2011.

“Nga viti 2011, kur kam lindur djalin e madh e deri më sot, më ka dhunuar. E kam denoncuar edhe herë të tjera. Në shkurt apo mars të vitit 2020 e kam denoncuar Saimirin për dhunë, por për shkak të fëmijëve, thashë kam bërë denoncim të rremë, se nuk doja të përfundonte në burg. Ai ka bërë 7 muaj burg. Ndaj djalit të madh ka patur dhunë, ndërsa ndaj djalit të vogël jo. Ndoshta se nuk e ka rritur djalin, pasi e kam rritur te prindërit e mi. Sepse ika nga ai për shkak të dhunës”, tha Liljana.

Liljana është 25 vjeçe dhe ka 10 vite e martuar me Saimirin, por sipas saj, tashmë nuk do që të bashkohet më me bashkëshortin.

Më parë, e reja e ka denoncuar tre herë bashkëshortin, por në të gjitha rastet, ka tërhequr denoncimin duke lejuar përsëritjen e dhunës në familje.