Në javën e tretë të këtij kampionati matjanët do të përballen në transfertë ndaj ekipit të Butrintit të Sarandës. Pas dy barazimeve pa gola në dy javët e para të këtij kampionati, djemtë e Burrelit do të kërkojnë me ngulm tri pikët e plota. Të premten skuadra u stërvit në orët e paradites në stadiumin “Liri Ballabani” dhe më pas udhëtoi drejt qytetit bregdetar të Sarandës. Për drejtorin teknik të skuadrës, Klevis Gjoka, ka ardhur momenti për të marrë pikë të plota në këtë përballje, për të vijuar më pas me fitore të tjera. Ai u shpreh se çdo përballje merr vlerësim maksimal dhe se skuadra nuk ecën me kokës pas, por para, pra vlerësim maksimal çdo kundërshtari.
“Për ne është ndeshja e radhës. Por Butrinti ashtu si çdo pritës do të kërkojë maksimumin në këtë përballje. Ne nuk do të ndryshojmë asgjë nga taktika jonë. Do të luajmë për pikët maksimale dhe shpresoj të jetë ndeshja e kthesës, pra të marrim fitoren e parë të këtij sezoni. Djemtë janë të motivuar shumë dhe presim më të mirën. Mungesa nuk do të ketë, ndërsa formacionin e ruajtëm në ndeshjen e kupës me Besëlidhjen”.
Nga ana tjetër, Gjoka u shpreh se në dy ndeshjet e kaluara, veç mungesës së golit, skuadra ka bërë më të mirën në fushën e gjelbërt.
“Veç mungesës së golit, për ne loja ka qenë shumë e kënaqshme. Besoj që në përballjen me Butrintin do të zhbllokohen edhe sulmuesit që të na japin edhe golin edhe fitoren njëjherazi” – përfundoi Gjoka.
Formacioni i mundshëm!
BURRELI: Koca, Dibra, Silva Junior, Gjinollari, F.Hasa, Hepaj, Kryemadhi, Kurbneshi, Çema, Stana, Branica. Tr.S.Patushi