Është zhvilluar këtë të martë ndeshja e javës së 13 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët pritën në shtëpi ekipin e Apolonisë së Fierit, duke marrë një fitore të merituar pas disa javëve.
Ka mjaftuar goli i shënuar nga Farruku që në 33 sekondat e para të takimit, që matjanët të dilnin triumfues në këtë përballje të vështirë. Miqtë nuk arritën të gjejnë rrjetën e portës matjane edhe pse tentuan me Krasniqin. Pjesa e parë u dominua totalisht nga matjanët në të gjitha aspektet, ndërsa pjesën e dytë miqtë nga Fieri e nisën furishëm, por pa arritur të finalizonin aksionet e tyre. Rasti më ideal ishte ai i minutës së 65 kur Krasniqit i duhej vetëm të prekte topin për ta dërguar në rrjetë, gjë të cilën nuk e bën.
Matjanët tentuan me kundërsulme, por pa arritur të dyfishonin rezultatin. Edhe futja në lojë e Efiong nuk ndryshoi asgjë, duke u mbyllur gjithçka Burreli 1 e Apolonia 0. Trajneri i Burrelit, Alert Alcani u shpreh i kënaqur me tri pikët e marra në debutimin e tij të parë.
“Të them të drejtën e kishim vlerësuar takimin, pasi ishte një ndeshje e vështirë. Me të vërtetë u bë një gol shumë shpejt, por kishim mundësi për ta dyfishuar rezultatin. Por përsëri gjetëm aftësi për ta mbajtur lojën, duke përdorur kundërsulmet. Jam i kënaqur me tri pikët, pasi edhe një javë kohë që kishim për përgatitje nuk na kanë lënë kushtet atmoferike për t’i zhvilluar seancat stërvitore ashtu siç duhet. Besoj që avash avash do t’i ngjisim shkallët një e nga një, momentalisht jam i kënaqur me këtë fitore” – tha Alcani.
Ndërsa trajneri i Apolonisë, Juri Canarasa u largua menjëherë pas mbylljes së lojës, ndërsa pjestar të tjerë të stafit teknik nuk pranuan të flisnin.