Ekipi i Burrelit vijon të presë sportist të cilët duan të veshin fanellën matjane. stafi teknik vijon të testojë futbollist për të cilët do të vendoset në vazhdimësi. Emri më i fundit i ardhur pranë ekipit matjan është Emrah Fikaj. Të enjten skuadra e drejtuar nga tekniku Alert Alcani zhviloi një ndeshje miqësore me ekipin e kategorisë së dytë të Mirditës. Matjanët e fituan këtë përballje me rezultatin e thellë 6 me 0, por qëllimi i drejtuesve nuk ka qenë rezultati por testimi i lojtarëve të afruar deri tani.
Matjanët kanë vendosur një afat për konsolidimin total të ekipit deri në datën 25 Janar, për të qenë gati për fazën e mbetur të kampionatit. Tekniku i Burrelit, Alert Alcani tha se koha për të ndërtuar një ekip dinjitoz është e mjaftueshme deri në rinisje të kampionatit. Megjithatë, ai shtoi se po bëhet kujdes në përzgjedhjen e emrave të rinj dhe se vetëm ata që do të bindin do të jenë pjesë e skuadrës.
Deri tani emrat e larguar pas përfundimit të fazës së parë janë Bytyçi, Mitraj, Melani, Memaçi, Murja, Gjoka dhe Salaj. Ndonëse ka disa emra të rinj të ardhur në testim, por për asnjërin prej tyre nuk është vendosur përfundimisht.