Klubi i futbollit “Burreli” ka vendosur të rikthejë nëstolin e pankinës së ekipit të parë trajnerin Dorian Bubeqi. Ky i fundit kishte dhënë dorëheqjen pak javë më parë për arsyet e tija personale e familjare, ku një ndër shkaqet ishte edhe largësia me banesën e tij.

Por pas disa javësh, drejtues të klubit, i kanë propozuar rikthim në krye të skuadrës, propozim i cili mësohet se është pranuar nga Bubeqi.

Nuk dihen ende kushtet e kontratës mes palëve, por thelbësore mbetet që tashmë tekniku Dorian Bubeqi ka mundësinë e ndërtimit të ekipit të Burrelit më shumë se 1 muaj nga nisja e sezonit të ri futbollistik 2023 – 2024.

Dorian Bubeqi është një nga trajnerët e suksesshëm në kategorinë e parë pasi ka drejtuar disa prej tyre. Kujtojmë se ai ka patur edhe drejtimin e skuadrës së Korabit të Dibrës, e cila për një sezon ishte pjesë e superligës.

Tashmë pritet që në ditët në vijim, skuadra matjane të grumbullohet dhe të nisë procesi i merkatos së verës për të ndërtuar grupin që do të veshë fanellën e Burrelit në sezonin e ri.

Gara e këtij sezoni në kategorinë e parë do të jetë shumë më e vështirë për shkak se do të përbehet nga 12 ekipe.