Ekipi i futbollit “Burreli” i ka mbyllur javët zyrtare të garës në kategorinë e parë me fitore dhe duke u shpallur nënkampion i grupit A. Matjanët morën tri pikë të rëndësishme falë dy golave të shënuar në minutën e 8 të takimit nga Flavio Farruku dhe 75 nga Alban Rexhepi. Në minutën e tetë ishte dhe rasti i parë ku Farruku merr një krosim nga një goditje dënimi dhe gjuan saktë me kokë drejt portës mike. Topi grushtohet nga Kodra, por përfundon në rrjetën e portës mike.
Në minutën e 17 Dedgjonaj godet me kokë drejt portës mike por është Kolgega që tregohet i vëmendshëm, duke larguar topin jashtë kuadratit.
Në minutën e 25 është sulmuesi Jasmin Raboshta që godet fort në ballore, por Kodra tregohet i vëmendshëm dhe ndalon topin. Tre minuta më vonë është Reçi që merr një pasim të saktë nga Kolgega, por portieri matjan Igli Koca është tepër i vëmendshëm. Ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1 me 0 për Burrelin.
Edhe pjesa e dytë kishte të njëjtin ritëm loje, dhe me dy raste të finalizuara. Matjanët luajtën duke u mbrojtur dhe herë herë në sulm. Është trajneri Dinamovit Uku që bën lëvizjen e parë duke aktivizuar tre l;ojtarë njëherësh. Në lojë futet Pere, Berberi dhe Alillari. Megjithatë, goli i dytë i matjanëve do të vinte në minutën e 75. Është Alban Rexhepi i cili gjuan nga një distancë jo shumë e largët brenda zonës së portës Dinamovite dhe shënon golin e dytë për Burrelin.
Por miqtë nuk largohen nga fusha pa shënuar golin e nderit, i cili vjen në minutën e 90. Alillari shmang mbrojtësin Ditmar Beci dhe realizon golin e vetëm të ekipit të tij për këtë ndeshje.
Megjithëse dinamovitët humbën këtë takim, ata dolën të fituar. Në fushën e stadiumit “Liri Ballabani”, ekipi dhe stafi i dinamos festuan titullin kampion të grupit A. Përfundimisht Dinamo do të jetë sezonin e ardhshëm pjesë e superliggës, ndërsa Burreli do të duhet të përballet me ekipin e Tomorit ku dhe do të përcaktohet skuadra garuese për ndeshjen play off me ekipin e vendit të tetë të superligës, i cili do të zbulohet pasi të mbyllet e gjithë gara në këtë kategori.