Do të luhen të shtunën ndeshjet e javës së dytë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët presin në shtëpi ekipin e Valbonës së Tropojës, një skuadër që ka ardhur këtë vit në kategorinë e parë. Ndërkohë, djemtë e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj kanë nisur përgatitjet që në fillim të javës për të qenë në formën më të mirë të mundshme të shtunën përballë tropojanëve. Ndonëse ekipi matjan vjen nga një fitore me një nga skuadrat pretendente të këtij viti për tu ngjitur në superligë, Flamurtarin e Vlorës, për Bicajn nuk ka vend aspak për euforizëm, pasi çdo skuadër e kategorisë së parë, është e vështirë për t’u mundur, për sa kohë është pjesë e kësaj kategorie.

Kjo do të jetë ndeshja e parë e këtij sezoni që do të luhet në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit dhe pritet të ketë një interes të madh të sportdashësve matjanë për të parë nga afër skuadrën e ndërtuar për sezonin futbollistik 2024 – 2025.