Ekipi i futbollit “Burreli” do të luajë të shtunën në “Liri Ballabani” ndeshjen e dytë brenda në shtëpi për fazën e dytë të këtij sezoni. Matjanët presin në këtë sfidë ekipin e Butrintit të Sarandës dhe do të kërkojnë që të marrin pikët e plota. Skuadra është stërvitur çdo ditë me seanca të ngjeshura stërvitore për të marrë maksimumin në këtë përballje e cila vjen pas dy barazimeve radhazi, i pari me Tërbunin e Pukës në shtëpi dhe i dyti me Tomorin e Beratit në transfertë. Ndeshja e të shtunës pritet t’i rikthejë matjanët tek pikët e plota, pas sukseseve të njëpasnjëshme të arritura në fund të fazës së parë. Ndërkohë lojtarët e rinj të afruar vetëm pak ditë më parë kanë marrë pjesë rregullisht në seancat stërvitore duke i dhënë më shumë shpresë grupit që do tja dalin të rikthehen tek fitorja.

Drejtues të stafit teknik thanë se nuk do të tolerohet asnjë gabim dhe se i vetmi rezultat i pritshëm dhe që duhet të mbyllet loja është ai i fitores. Çdo kundërshtar ka marrë vlerësim maksimal dhe nuk ka aspak rëndësi pozicioni që ndodhet në klasifikimin e përgjithshëm, ndaj dhe nuk ka vend për neglizhencë apo për nënvlerësim të kundërshtarit.